Drejtori i “Vita” apelon te Ministria: Publikoni rezultatet, jemi gati t’i kthehemi punës që sot
Drejtori i Qumështores “Vita”, Artan Spahija tha sot se qumështorja, e cila të enjten mori vendim për pezullimin e punës pas një inspektimi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, është e gatshme t’i rikthehet punës që sot.
Por, në mënyrë që qumështorja t’i rikthehet punës dhe grumbullimit të qumështit nga fermerët, Spahija kërkoi nga Ministria e Bujqësisë që t’i publikojë rezultatet e mostrave të marra nga qumështi “Vita”.
“Desha të ju njoftoj se vendimin për pezullimin e punës nuk e ka marrë ministria. Këtë e kemi marrë ne si bord. Arsye për këtë është që janë marrë mostrat e qumështit Vita me pretendimin e analizës. Ne ju kemi thënë dhe i bëjmë apel [Ministrisë] që sa më shpejt që munden t’i publikojnë analizat dhe ne jemi të gatshëm që nga sot, ose nesër të fillojmë grumbullimin e qumështit”, tha Spahia.
“Që nga 17-18 prill i kanë rezultatet por nuk po dojnë me i bë publike, i kanë rezultatet edhe dje dhe i lustim t’i bëjnë sa më parë publike dhe të dalin me rezultatet konkrete, sepse ne jemi të bindur se Vita është 100% qumësht Kosove, nuk ka të bëjë asnjë komponent tjetër”, tha ai.
“Unë po i bëj lutje AUK-ut që ta qesë vendimin, ne i kemi monstrat nëse kanë vendim tjetër sepse ne jemi të bindur se qumështi vita është 100% qumësht Kosove”.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë tha të enjten pas inspektimeve në fabrikën e qumështit në Istog se në këtë fazë nuk është marrë asnjë masë për mbylljen e fabrikës.
“Inspektimi ka konsistuar vetëm në verifikim dhe marrje mostrash, ndërsa vlerësimi i plotë dhe konstatimet përfundimtare do të bëhen pas pranimit të rezultateve laboratorike, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, tha AUV.
Kjo agjenci tha se inspektimi u krye për të verifikuar përputhshmërinë e aktivitetit të kompanisë me standardet e sigurisë ushqimore. Ajo tha se ka marrë mostra të qumështit që ka afat të gjatë përdorimi, të qumështit pluhur dhe të vajit të palmës, që janë dërguar për analiza laboratorike.
