Ministri Muja: 556 përfitues të Lotit 3 do të investojnë në zhvillimin e ekonomisë rurale në 44 komuna të Kosovës
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja mori pjesë sot në ceremoninë e shpalljes së përfituesve të Lotit 3 të Skemës së Granteve për Diversifikimin e Aktiviteteve në Zonat Rurale, program që zbatohet në bashkëfinancim ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë dhe GIZ-it, me synim zhvillimin e ekonomisë rurale, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve në zonat rurale të Republikës së Kosovës.
Në fjalën e tij, ministri Armend Muja theksoi se ky program përfaqëson një partneritet të suksesshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke krijuar mundësi konkrete për fermerët dhe sipërmarrësit ruralë në të gjitha rajonet e vendit.
“Këto investime nuk janë vetëm mbështetje financiare. Ato do të ndikojnë drejtpërdrejt në krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e të ardhurave familjare, zhvillimin e ndërmarrjeve rurale dhe forcimin e ekonomisë lokale. Përmes këtij partneriteti po avancojmë kapacitetet institucionale dhe po harmonizojmë procedurat tona me standardet e Bashkimit Evropian, duke përgatitur përfituesit për mundësitë e ardhshme të financimit përmes programeve evropiane, përfshirë IPARD-in”, deklaroi ministri Muja.
Ministri bëri të ditur se interesimi për këtë skemë ka qenë jashtëzakonisht i madh. Nga 915 aplikime të pranuara, pas një procesi transparent dhe konkurrues të vlerësimit janë përzgjedhur 556 përfitues, të cilët do të realizojnë investimet e tyre në 44 komuna të Republikës së Kosovës.
Përmes granteve individuale me vlerë nga 1,500 deri në 5,000 euro, do të mbështeten investime në agroturizëm, bletari, përpunimin e produkteve bujqësore, kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike, produktet pyjore jo-drusore, shpezëtarinë, akuakulturën dhe aktivitete të tjera inovative, duke kontribuar në diversifikimin e aktiviteteve ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.
Duke folur për rëndësinë e gjithëpërfshirjes, ministri Muja nënvizoi se 30 për qind e përfituesve të Lotit 3 janë gra, duke e cilësuar këtë si dëshmi të përkushtimit institucional për fuqizimin ekonomik të grave dhe krijimin e mundësive të barabarta në zhvillimin rural.
Ai theksoi gjithashtu se përmes partneritetit me Qeverinë Gjermane dhe GIZ-in, përfituesit jo vetëm që mbështeten financiarisht, por përfitojnë edhe nga procedurat dhe praktikat e harmonizuara me standardet e Bashkimit Evropian, duke u përgatitur për qasje në programet e ardhshme të financimit evropian.
Në përfundim, ministri Armend Muja falënderoi Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë dhe GIZ-in për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sektorit të bujqësisë në Kosovë, ndërsa uroi të gjithë përfituesit që investimet e tyre t’i shndërrojnë në biznese të suksesshme, të qëndrueshme dhe konkurruese, në funksion të zhvillimit ekonomik të komuniteteve rurale dhe të Republikës së Kosovës.
