Zjarri kaplon ndërtesën në Antwerp të Belgjikës, vdesin 6 veta
Të paktën gjashtë persona humbën jetën si paojë e një zjarri të madh në një apartament në qytetin belg Antwerp, konfirmoi sot policia, ndërsa operacionet e shpëtimit dhe kërkimit vazhdojnë, transmeton Anadolu.
Zëdhënësja e policisë, Kim Bastiaens tha se situata mbetet “një bilanc i rëndë”, duke shtuar se disa banorë janë ende të zhdukur ndërsa zjarrfikësit vazhdojnë të kërkojnë në ndërtesë, raportoi transmetuesi publik në gjuhën holandeze VRT.
Zjarri shpërtheu pak para orës 10 të mëngjesit sipas orës lokale në një ndërtesë apartamentesh 10-katëshe në lagjen Linkeroever të qytetit. Më shumë se 200 persona jetojnë në kompleksin e apartamenteve dhe operacionet e evakuimit ishin ende në vazhdim disa orë pasi filloi zjarri.
Një ekip me dron i Departamentit të Zjarrfikësve të Antwerpit u vendos për të ndihmuar përpjekjet e kërkim-shpëtimit. Ekipet e emergjencës nga zonat fqinje të zjarrfikësve dhe shpëtimit po mbështesnin gjithashtu operacionet.
Një plan ndërhyrjeje mjekësore u aktivizua për të koordinuar ndihmën emergjente mjekësore, ndërsa banorët që u evakuuan dhe nuk kishin nevojë për trajtim po akomodohen në mjediset aty pranë.
Autoritetet lëshuan një alarm duke i kërkuar banorëve në zonë të mbajnë dritaret dhe dyert e tyre të mbyllura dhe të shmangin afërsinë e zjarrit. Sipas Zonës së Zjarrfikësve të Antwerpit, shkaku mbetet nën hetim, por besohet se zjarri ka filluar për shkak të një problemi teknik në katin përdhes.
Ka nisur një hetim gjyqësor, me prokurorinë publike dhe një gjyqtar hetues të emëruar për të shqyrtuar incidentin.
