Salih Murat: Shteti më në fund reagoi për mbrojtjen e Tyrbes së Gazi Babës

Deputeti Salih Murat ka bërë të ditur se institucionet shtetërore kanë nisur procedurat për mbrojtjen dhe restaurimin e Tyrbes së Gazi Babës – Âşık Çelebi në Shkup, pas dëmtimeve të rënda që, sipas tij, kanë ndodhur për një kohë të gjatë.

Murat ka thënë se objekti, i cili është monument kulture i mbrojtur, është vandalizuar rëndë. Sipas tij, janë thyer varri dhe mbetjet mortore janë ekspozuar, është shkatërruar dera hyrëse, janë dëmtuar pikturat origjinale në brendësi, janë gjetur gjurmë të ndezjes së zjarrit dhe muret e jashtme janë mbuluar me grafite.

Ai ka theksuar se në prill të vitit 2026 kishte parashtruar një pyetje parlamentare për këtë rast, por përgjigjja e Ministrisë ishte e pamjaftueshme. Më pas, më 2 qershor 2026, ai dorëzoi një pyetje të dytë më të detajuar, e cila, sipas tij, detyroi institucionet të ndërmarrin veprime konkrete.

Sipas Muratit, janë realizuar inspektime zyrtare në terren, është bërë kallëzim në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit, është nisur projekti për restaurimin e objektit, janë angazhuar institucionet përgjegjëse për konservimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe janë njoftuar Komuna e Gazi Babës dhe Qyteti i Shkupit.

“Nuk do të heshtim. Mbrojtja e trashëgimisë sonë është çështje kombëtare dhe do ta vazhdojmë këtë betejë me vendosmëri”, ka shkruar Murat në Facebook.

Ai shtoi se Tyrbja e Gazi Babës nuk është vetëm një monument historik, por një trashëgimi e përbashkët e të gjithë banorëve të Shkupit, e cila meriton mbrojtje, respekt dhe drejtësi.

Go to TOP