Nimoni dhe Valentina Superti diskutojnë reformat në drejtësi dhe agjendën evropiane të Kosovës

Në Ministrinë e Drejtësisë u zhvillua një takim ndërmjet Zëvendësministrit të Drejtësisë, Genc Nimoni dhe përfaqësuesve të institucioneve kyçe në sistemin e drejtësisë, me Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian, znj. Valentina Superti, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Gjatë takimit, Zëvendësministri Nimoni prezantoi progresin në fushën e drejtësisë, në veçanti atë të Ministrisë së Drejtësisë në përmbushjen e obligimeve që burojnë nga agjenda e reformave. Mes tjerash, Nimoni theksoi finalizimin e pakos prej pesë ligjeve që rrjedhin nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit, por gjithashtu finalizimin e hapave të tjerë në kuadër të Planit të Rritjes, përfshirë funksionalizimin e Zyrës së Koordinatorit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e institucioneve tjera të drejtësisë në Kosovë rikonfirmuan përkushtimin e plotë për zbatimin e agjendës së reformave, duke theksuar se reformat duhet të jenë substanciale, të qëndrueshme dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Ata vlerësuan rëndësinë e Deklaratës së Përbashkët të Zotimit si mekanizëm për bashkërendimin institucional dhe shprehën mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian.

Tutje, znj. Superti theksoi rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë dhe përmbushjes së hapave që rrjedhin nga agjenda e reformave. Ajo gjithashtu rikonfirmoi përkushtimin e tyre për bashkëpunim me institucionet e Kosovës në realizimin e obligimeve që dalin nga kjo agjendë.

Në takim morën pjesë Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Arian Gashi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Rrustem Thaqi, Drejtori i Njësisë për Inteligjencë Financiare, Genc Rraci, Zëvendësdrejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Liridon Nika, si dhe Udhëheqësja e Sektorit në APK, Lindita Ademi. /Kosova.info/


Go to TOP