Rugovistët e rrejshëm më të dëmshëm sesa antirugovistët!
Shkruan: Florim ZEQA
LDK nuk e di ku e ka ‘bishtin e as kokën’
Pas shkuarjes në amshim të liderit historik, LDK-në e kanë pushtuar klane dhe grupe interesi, të cilat e kanë keqpërdorur filozofinë politike rugoviane duke u munduar ta imitojnë Ibrahim Rugovën; disa me shall rreth qafe, ndërsa të tjerë me buzëqeshje cinike tentuan të krijojnë imazhe false në emër të Ibrahim Rugovës.
LDK e zhveshur tërësisht nga filozofia politike rugoviane
Individë dhe grupe interesi ndërtuan karrierë politike, duke u ngritur madje edhe në hierarkinë më të lartë shtetërore pa asnjë kontribut personal në çlirim dhe shtetndërtim, të cilët e shfrytëzuan LDK-në vetëm për qëllime personale, grupore dhe klanore.
Aq shumë e kanë bastarduar Lidhjen Demokratike të Kosovës, saqë ajo nuk ka mbetur më as si surrogat i LDK-së rugoviane!
LDK-ja aq shumë është varfëruar në vlerat e saj politike, historike dhe kombëtare, saqë është zhveshur tërësisht nga filozofia politike rugoviane!
Këta individë, klane dhe grupe interesi e kanë ndarë partinë shtetformuese në disa fraksione, si brenda vendit ashtu edhe në mërgatën tonë.
Janë këta shërbëtorë të ish-sistemit komunist jugosllav, të ricikluar dhe mercenarë, të cilët ishin kundërshtarë të Rugovës dhe rivalë politikë të LDK-së rugoviane, që asnjëherë nuk ishin në linjën e pastër kombëtare.
Pas vdekjes së Rugovës, Lidhja Demokratike e Kosovës është abuzuar pamëshirshëm, në vijimësi, nga grupe të caktuara interesi, të cilat sot kanë marrë formë dhe përmbajtje antishtetërore!
Këta individë dhe grupe interesi kanë ndërtuar fraksione brenda partisë duke e sjellë Lidhjen Demokratike të Kosovës jo vetëm në pozitën e tretë në nivel vendi, por edhe me tendencë të zhbërjes totale si subjekt politik!
Fakti që LDK nuk po arrin të konsolidohet asnjëherë, është pasojë e aspekteve të sipërcekura dhe e ambicieve të sëmura karrieriste të individëve dhe grupeve të interesit.
Rivaliteti mes grupeve të interesit e rrënoi në themel LDK-në post-rugoviane
Aq i madh është rivaliteti mes grupeve të interesit në subjektin më të vjetër politik në vendin tonë, saqë më nuk dihet kush e ushtron forcën e vogël reale të mbetur në këtë parti!
Pa dashur ta personalizoj, sot LDK nuk e di ku e ka ‘bishtin e as kokën’, për shkak të ngatërrimit të roleve politike, ku të ricikluarit dhe mercenarët po ngrihen më lart në hierarki sesa veprimtarët dhe themeltarët!
Kjo e ka zbehur në masë të madhe imazhin e LDK-së.
Andaj nuk është për t’u habitur pse elektorati i saj ka lëvizur drejt partive të tjera!
Për ta bërë ironinë edhe më të madhe, klanet dhe grupet e interesit këtë elektorat të LDK-së, të shpërndarë gjithandej në partitë politike në Kosovë, e quajnë “trushpërlarë”, ndërsa veten “shpëtimtarë” të LDK-së!
Po ndodh pikërisht kështu, për faktin se LDK asnjëherë nuk u ka dhënë hapësirë veprimi dhe vlerësimi figurave markante të saj, aktivistëve dhe veprimtarëve, të cilët me vite e dekada e kanë bartur mbi supet e tyre barrën e të gjitha aktiviteteve dhe vështirësive të kohës.
Por, u ka dhënë hapësirë dhe i ka ngritur në karrierë politike ata që nuk kanë asgjë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës, përkatësisht me traditën e lavdishme të Lidhjes Demokratike të Kosovës përgjatë viteve ’90 apo, siç e pëlqej t’i quaj ndryshe, ‘Vitet e Krenarisë Kombëtare’.
Përkthyer ndryshe këtë realitet të hidhur, LDK-ja e sotme, në radhë të parë, ka mungesë lidershipi, mungesë të vlerave njerëzore, politike dhe atdhetare! Nuk ka si të jetë ndryshe, kur akuzohet elektorati për dështimet e drejtuesve të saj!
