Nimani: Qeveria pagoi mbi 91 mijë euro pensione për persona të vdekur, dëshmi e dështimit institucional

Profesori universitar dhe analisti Artan Nimani ka reaguar pas publikimit të Raportit të Auditorit, i cili evidenton se gjatë vitit 2025 janë realizuar 517 pagesa pensionale pas vdekjes së përfituesve, në vlerë totale prej 91,010 euro.

Sipas Nimanit, ky nuk është thjesht një problem administrativ, por një tregues i dobësive serioze në menaxhimin e financave publike. Ai thekson se arsyetimi se rastet e vdekjeve raportohen me vonesë nuk e zbeh përgjegjësinë e institucioneve.

“Në një administratë që synon digjitalizimin dhe shkëmbimin e të dhënave në kohë reale, pagesa të tilla nuk duhet të ndodhin”, ka deklaruar Nimani.

Ai vlerëson se çdo pagesë e padrejtë përbën dëm për buxhetin e shtetit dhe cenon besimin e qytetarëve ndaj administratës publike.

Nimani kërkon që përveç evidentimit të problemit nga Auditori, të ketë përgjegjësi konkrete institucionale, rikuperim të dëmit financiar dhe ngritje të mekanizmave më efektivë të kontrollit për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen.

“Paratë publike kërkojnë llogaridhënie, jo arsyetime”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/


Go to TOP