Sadiku nga Parlamenti Evropian: Kosova evropiane është forma më e mirë e patriotizmit

Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka ndarë emocionet e përvojës së tij të parë në sallat e institucioneve evropiane duke falënderuar votuesit dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për mundësinë që t’i përfaqësojë qytetarët në këtë nivel.

Sadiku e cilësoi Bashkimin Evropian si projektin dhe idenë politike më të suksesshme të kohëve moderne duke theksuar se ai ka dëshmuar se popujt mund të bashkëpunojnë ekonomikisht dhe politikisht duke ruajtur njëkohësisht identitetin, kulturën, demokracinë dhe të drejtat themelore të qytetarëve.

“Unë jam shqiptar. Jetoj në Republikën e Kosovës. Dhe ndihem evropian. Patriotizmi ynë nuk është në kundërshtim me identitetin tonë evropian”, ka deklaruar Sadiku.

Sipas tij, një Kosovë e fortë, demokratike dhe evropiane përfaqëson formën më të mirë të patriotizmit në kohën e sotme. Ai u zotua se do të angazhohet maksimalisht që Kosova t’i bashkohet sa më shpejt familjes evropiane.

Sadiku përfundoi mesazhin e tij duke theksuar se integrimi evropian mbetet një nga objektivat më të rëndësishme për të ardhmen e vendit. /Kosova.info/


Go to TOP