Abdixhiku nga Vitia: Mesazhin tuaj e mora qartë, LDK-ja do ta kalojë çdo sfidë me demokraci dhe unitet
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka falënderuar Degën e LDK-së në Viti për mbështetjen e dhënë duke vlerësuar pritjen dhe angazhimin e strukturave partiake në këtë komunë.
Përmes një mesazhi publik, Abdixhiku shprehu mirënjohje për kryetarin e Degës, Sokol Haliti, kryesinë dhe aktivistët e LDK-së në Viti duke theksuar se mesazhi i tyre është pranuar qartë.
“Ju faleminderit për pritjen e sotme; që jeni e që ju kemi! Që i mbroni parimet, punën e të drejtën. Mesazhin tuaj e mora qartë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai u shpreh i bindur se LDK-ja do të përballojë me sukses çdo sfidë, si në planin shtetëror ashtu edhe në atë partiak duke theksuar rëndësinë e demokracisë së brendshme dhe vullnetit të anëtarësisë.
“Do ta kalojmë çdo sfidë, shtetare e partiake, siç kemi ditur gjithmonë; me demokraci funksionale, me vullnet të mbarë dhe me besim të plotë se LDK është veç e anëtarësisë së saj dhe ky vullnet s’i nënshtrohet askujt”, deklaroi ai.
Deklarata e Abdixhikut vjen në një periudhë debatesh të brendshme në LDK, ku zyrtarë dhe figura të partisë kanë bërë thirrje për unitet, reflektim dhe respektim të proceseve demokratike brenda subjektit politik. /Kosova.info/
