Ferati i kundërpërgjigjet zërave për dorëheqje në LDK: Koha e fajësimeve selektive ka përfunduar
Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, ka reaguar ndaj kërkesave të fundit për dorëheqje nga lidershipi i partisë duke vlerësuar se disa struktura të LDK-së po tentojnë të zhvendosin përgjegjësinë për rezultatin zgjedhor vetëm te niveli qendror.
Në një reagim publik, Ferati tha se është “thellësisht shqetësuese” që në vend të një analize të ndershme të përgjegjësive në çdo nivel, po ndërtohen narrativa që fajësojnë vetëm udhëheqjen qendrore.
“Kush kërkon llogaridhënie nga të tjerët, duhet së pari të japë llogari për rezultatet në terrenin që ka menaxhuar vetë. Është e papranueshme që dikush të vetëshpallet i suksesshëm, ndërsa dështimet t’ua faturojë vetëm të tjerëve”, ka deklaruar ai.
Ferati ka kujtuar se LDK-ja sapo ka kaluar një proces zgjedhor të brendshëm, ku është rikonfirmuar kryetari aktual duke theksuar se nuk duhet të krijohet praktika që pas çdo procesi zgjedhor të kërkohet dorëheqja e kryetarit të partisë.
Sipas tij, përgjegjësia për rezultatin nuk mund të jetë selektive dhe duhet të ndahet nga të gjitha strukturat e partisë.
“Asnjë degë nuk e fiton e vetme LDK-në dhe asnjë degë nuk e humb e vetme LDK-në. Përgjegjësia është e përbashkët dhe e pakapërcyeshme për të gjithë”, ka theksuar Ferati.
Ai ka shtuar se aktualisht nuk ka asnjë strukturë apo individ brenda LDK-së që mund të pretendojë se i ka përmbushur plotësisht pritjet e anëtarësisë dhe qytetarëve duke e cilësuar të dëmshëm çdo tentim për vetë-justifikim politik.
Në fund, sekretari i LDK-së ka bërë thirrje për unitet, seriozitet dhe vetëkritikë reale duke nënvizuar se proceset e brendshme do të zhvillohen në organet e partisë dhe se “koha e fajësimeve selektive ka përfunduar, ndërsa koha e përgjegjësisë së barabartë ka filluar”. /Kosova.info/
