Elshani: Nga 1 shtatori, nxënësit e “Zenel Hajdinit” do të kenë hapësirë të veçantë për ngrënie
Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, ka nisur vizitat në punishtet dhe projektet infrastrukturore në shkollat e kryeqytetit duke e filluar nga lagjja Kodra e Trimave.
Ai bëri të ditur se kjo lagje, e cila sipas tij ka nevojë për më shumë investime, do të jetë ndër prioritetet e angazhimit të tij në periudhën e ardhshme.
Gjatë vizitës në Shkollën Fillore “Zenel Hajdini”, Elshani njoftoi se nga 1 shtatori nxënësit do të kenë në dispozicion një hapësirë të veçantë për ngrënie, në kuadër të organizimit të mësimit tërëditor.
“Kur flasim për shkollën, shpesh mendojmë për klasat. Por një ditë e mirë në shkollë ndërtohet edhe nga kushtet që i kanë nxënësit gjatë gjithë ditës”, ka thënë ai.
Sipas Elshanit, investimet në infrastrukturën shkollore synojnë përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe krijimin e një ambienti më funksional për zhvillimin e procesit mësimor. Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar vazhdimin e projekteve të ngjashme edhe në shkolla të tjera të kryeqytetit. /Kosova.info/
