Rrahmani: Qeveria pagoi 470 mijë euro për ish-“Rojet e Urës”, ndërsa la pa paguar 2.8 milionë euro për ushtarët e FSK-së

Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, ka akuzuar Qeverinë Kurti për keqmenaxhim të fondeve publike duke thënë se gjatë vitit 2025 janë paguar dhjetëra pjesëtarë të ish-strukturave paralele serbe në veri, ndërsa nuk janë ekzekutuar pagesat për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Sipas Rrahmanit, 61 pjesëtarë serbë të të ashtuquajturave “Roje të Urës”, të cilët ai i cilëson si ish-struktura paralele në veri të vendit, janë paguar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me gjithsej 469,885 euro gjatë vitit 2025.

“61 pjesëtarë serbë të të ashtuquajturave ‘Roje të Urës’, ish-struktura paralele në veri, janë paguar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me plot 469,885 euro gjatë vitit 2025, pa shkuar as edhe një ditë të vetme në punë”, ka deklaruar ai.

Rrahmani ka theksuar se, në anën tjetër, pjesëtarëve të FSK-së nuk u janë paguar 2,869,999 euro për angazhimet dhe punët e kryera gjatë ushtrimit të detyrës.

“Qeveria Kurti paguan serbët pa shkuar asnjë ditë në punë, ndërsa nuk paguan ushtarët e Kosovës për punën që e bëjnë”, ka thënë deputeti i PDK-së.

Ai ka bërë të ditur se të dhënat që ka prezantuar janë marrë nga raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit duke kërkuar përgjegjësi dhe sqarime nga institucionet përkatëse lidhur me këto gjetje. /Kosova.info/

Go to TOP