Polemika në Portugali rreth udhëtimit në SHBA për ndeshjen e Botërorit
Debutimi i Portugalisë në Kupën e Botës 2026, që zhvillohet sonte në Teksas ndaj Republikës Demokratike të Kongos, është shoqëruar me debat politik në Portugali, pas një ftesë të Federatës Portugeze të Futbollit (FPF) për përfaqësuesit e Parlamentit për të ndjekur ndeshjen në Hjuston.
Ftesa e drejtuar krerëve të grupeve parlamentare ka nxitur reagime të ndryshme në skenën politike portugeze, duke hapur diskutime mbi etikën dhe kufizimet ligjore për pranimin e dhuratave apo udhëtimeve të tilla.
Sipas rregullave në fuqi, deputetëve u ndalohet pranimi i dhuratave me vlerë mbi 150 euro, për të shmangur çdo ndikim të mundshëm në ushtrimin e mandatit të tyre. Megjithatë, në disa raste lejohet përjashtimi kur ftesat drejtohen institucioneve apo partive politike.
Pavarësisht kësaj, rasti ka shkaktuar debat të gjerë publik, duke bërë që shumica e liderëve parlamentarë të refuzojnë ftesën e FPF-së.
Deputeti i Bllokut të Majtë, Fabian Figueiredo, kritikoi publikisht ofertën, duke sugjeruar që në vend të politikanëve, ftesa të ishte adresuar për persona që kanë kontribuar në situata emergjente, si punonjës të mbrojtjes civile.
Në fund, i vetmi që pritet të udhëtojë në Hjuston është presidenti i Asamblesë së Republikës, Jose Pedro Aguiar-Branco, i cili ka pranuar ftesën për të ndjekur ndeshjen nga afër.
Debati ka shtuar vëmendjen publike rreth ndeshjes së Portugalisë, e cila shënon fillimin e rrugëtimit të saj në Botërorin 2026.
