Përplasje e ashpër Lushtaku-Mihali: Akuza për ndikim politik dhe kundërpërgjigje me tone të rënda
Një përplasje e ashpër verbale është zhvilluar në distancë mes Sami Lushtakut dhe Dejona Mihalit, pas deklaratave publike të të dyve që kanë ndezur debat në skenën politike në Kosovë.
Sami Lushtaku i është drejtuar Dejona Mihalit me një sërë akuzash dhe pyetjesh publike duke vënë në dyshim rolin dhe ndikimin e saj brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Ai e ka quajtur atë “Dejona e Aleksandrit nga Greqia” dhe ka ngritur pretendime për kontroll të brendshëm në parti duke pyetur se kush qëndron prapa saj, kush e financon dhe cili është misioni i saj në Kosovë.
“Prej nga vjen dhe kush të qëndron prapa? Kush të financon ty? Çfarë misioni ke në Kosovë? Për kë punon ti?”, ka deklaruar Lushtaku duke shtuar edhe akuza të tjera me tone të forta politike dhe personale.
Në anën tjetër, Dejona Mihali i është përgjigjur Lushtakut me një reagim të ashpër duke e akuzuar atë për sulme politike dhe përpjekje për të devijuar debatin publik. Ajo e ironizoi Lushtakun duke thënë se ai reagon shpesh në mbështetje të interesave politike të caktuara dhe se është i shqetësuar nga zhvillimet brenda opozitës.
“U lajmërua dhe bosi i Përparimit, Sami Lushtaku dora vet. Mirë bëre. Se çdo herë po mbetesh pas shpinës së Ganimetes”, ka shkruar Mihali.
Ajo hodhi poshtë edhe pretendimet lidhur me familjarët e saj duke theksuar prejardhjen dhe figurën e babait të saj, Aleksandër Mihali, të cilin e përshkroi si nënkolonel të lindur në Tiranë dhe me jetë të tërë shërbimi në Shqipëri.
Mihali më tej i është përgjigjur edhe akuzave për veprimtari politike dhe përfshirje në ndikim brenda Vetëvendosjes duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të motivuara politikisht. Ajo gjithashtu ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj Lushtakut duke e akuzuar për të kaluarën e tij politike dhe duke e sfiduar për periudhën e pjesëmarrjes së tij në luftë. /Kosova.info/
