IPK suspendon tre policë për marrje të ryshfetit në Prizren
Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin nga detyra të tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor Alfa në Prizren, pas hetimeve disaditore lidhur me veprimet/reagimet policore.
Zyrtarët policorë, sipas njoftimit të IPK-së, kanë ndaluar automjete të paregjistruara dhe motoçikleta që qarkullonin në kundërshtim me dispozitat ligjore, duke iniciuar fillimisht procedurat përkatëse policore
Sipas gjetjeve fillestare të hetimit, dyshohet se zyrtarët policorë nuk kanë vepruar në përputhje me obligimet e tyre ligjore dhe zyrtare, duke mos vazhduar me procedurat e parapara dhe duke lejuar personat/kundërvajtësit të largohen pa i ndërmarrë masat përkatëse ligjore.
“Ky rekomandim për suspendim është bërë me dyshimin se të njëjtit më 11.06.2026 në Prizren me dyshimin se veprimet e tyre përbëjnë elemente të veprës penale “marrje e ryshfetit”, e sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Rekomandimi për suspendim të përkohshëm të zyrtarëve policorë është ndërmarrë me qëllim të mos-ndikimit në procesin hetimor dhe garantimit të pavarësisë dhe paanshmërisë së hetimeve.
