Java e ardhshme me mot kryesisht të qëndrueshëm në Kosovë, reshje lokale dhe rrufe të martën
Java e ardhshme në Kosovë do të karakterizohet nga mot kryesisht i qëndrueshëm, me temperatura të afërta me mesataren shumëvjeçare për këtë periudhë të vitit. Sipas parashikimeve meteorologjike, mbi vend do të dominojnë fusha me presion relativisht të lartë atmosferik duke favorizuar ditë me diell dhe vranësira të pakta deri mesatare.
Megjithatë, depërtimi i herëpashershëm i masave më të lagështa ajrore do të krijojë kushte për zhvillim të vranësirave konvektive, veçanërisht gjatë orëve të pasdites. Reshje lokale shiu të shoqëruara me shkarkesa rrufesh priten të martën.
Të hënën moti do të jetë me diell dhe vranësira të pakta deri mesatare, pa reshje. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 25 deri në 29 gradë.
Të martën parashihet mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Gjatë pjesës së dytë të ditës pritet shtim i vranësirave, të cilat vende-vende mund të sjellin reshje lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh. Temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 27 gradë Celsius.
Të mërkurën dhe të enjten do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara, me kushte më të qëndrueshme atmosferike dhe mundësi të vogla për reshje. Temperaturat maksimale do të variojnë nga 25 deri në 29 gradë Celsius.
Ndërkaq, të premten pritet mot kryesisht me diell dhe vranësira kalimtare, me temperatura që mund të arrijnë deri në 30 gradë Celsius.
Sa i përket kushteve agrometeorologjike, ato vlerësohen të favorshme për shumicën e kulturave bujqësore. Temperaturat e moderuara dhe lagështia e mjaftueshme në shtresat sipërfaqësore të tokës do të mbështesin zhvillimin e kulturave pranverore dhe verore. Reshjet lokale të parashikuara gjatë javës do të ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë në tokë duke ulur nevojën për ujitje shtesë në shumë zona.
Meteorologët u rekomandojnë fermerëve të monitorojnë zhvillimin e sëmundjeve kërpudhore në kulturat e ndjeshme, sidomos pas reshjeve dhe rritjes së lagështisë relative të ajrit.
Ndërkohë, cilësia e ajrit pritet të jetë kryesisht e mirë deri mesatare në pjesën më të madhe të territorit të Kosovës, falë qarkullimit të vazhdueshëm të masave ajrore dhe erërave të lehta deri mesatare.
Indeksi UV do të mbetet i lartë gjatë pjesës më të madhe të javës, veçanërisht nga ora 10:00 deri në 16:00. Qytetarëve u rekomandohet të kufizojnë ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell, të përdorin mjete mbrojtëse dhe të konsumojnë sasi të mjaftueshme uji.
Kushtet biometeorologjike pritet të jenë të favorshme për shumicën e popullatës, ndërsa personat e ndjeshëm ndaj ndryshimeve atmosferike mund të ndjejnë shqetësime të lehta gjatë ditëve me zhvillim të vranësirave konvektive dhe ndryshime të përkohshme të presionit atmosferik. /Kosova.info/
| Komuna (Qyteti) | 15.06.2026 | 16.06.2026 | ||
| Temp. Min.0C | Temp. Max 0C | Temp. Min.0C | Temp. Max.0C | |
| Prishtinë | 11 | 28 | 12 | 26 |
| Pejë | 11 | 28 | 12 | 26 |
| Prizren | 12 | 29 | 13 | 27 |
| Gjakovë | 12 | 29 | 13 | 27 |
| Istog | 12 | 29 | 13 | 27 |
| Junik | 11 | 28 | 12 | 27 |
| Dragash | 10 | 25 | 10 | 25 |
| Ferizaj | 11 | 27 | 11 | 26 |
| Gjilan | 11 | 27 | 11 | 26 |
| Kamenicë | 11 | 28 | 11 | 26 |
| Besianë | 12 | 27 | 12 | 26 |
| Mitrovicë | 13 | 27 | 12 | 27 |
| Malishevë | 13 | 28 | 13 | 27 |
