Kuçi: 13 qershori, ditë e shenjtë për Therandën dhe kujtesën e dëshmorëve
Kandidati për deputet nga LDK-ja me numër 47, Blerim Kuçi, ka përkujtuar 13 Qershorin – Ditën e Çlirimit të Therandës dhe Ditën e Komunës duke e cilësuar këtë datë si një nga ditët më të rëndësishme në historinë e qytetit.
Kuçi tha se kjo ditë i kushtohet kujtimit të dëshmorëve që sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës duke theksuar se para veprës së tyre qytetarët duhet të përulen me respekt dhe mirënjohje të përhershme.
Ai shprehu nderim të veçantë për ushtarët e Brigadës 123, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë ata që kontribuuan në rrugën drejt lirisë.
“Si njëri nga ata që patën nderin t’i shërbejnë atdheut në ditët më të vështira, sot ndiej krenari të veçantë për sakrificën, unitetin dhe idealin që na bashkoi atëherë dhe që duhet të na udhëheqë edhe sot”, ka deklaruar Kuçi.
Duke uruar qytetarët për Ditën e Çlirimit dhe Ditën e Komunës së Therandës, ai vlerësoi edhe kontributin e të gjithë atyre që ndër vite kanë punuar për zhvillimin dhe përparimin e komunës.
Kuçi bëri thirrje që të ruhen dhe të kultivohen vlerat për të cilat u flijuan dëshmorët, në mënyrë që të ndërtohet me përgjegjësi e ardhmja e vendit.
“Lavdi e përjetshme dëshmorëve! Nderim veteranëve dhe luftëtarëve të lirisë! Urime 13 Qershori, Dita e Çlirimit të Therandës!”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/
