Spahiu kritikon ashpër Dimal Bashën: Përdorimi i flamurit të Shqipërisë nga ministri i Kosovës, poshtërim i shtetit
Analisti dhe profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu ka reaguar ashpër ndaj paraqitjes së ministrit të Infrastrukturës së Kosovës, Dimal Basha, në një aktivitet të përbashkët me homologun nga Shqipëria duke e cilësuar përdorimin e flamurit shqiptar në vend të atij të Kosovës si një “poshtërim kombëtar”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spahiu tha se ministri shqiptar ishte paraqitur me flamurin e Bashkimit Evropian dhe atë të Shqipërisë, ndërsa ministri kosovar kishte pasur pas vetes vetëm flamurin e Shqipërisë.
Sipas tij, një veprim i tillë cenon simbolikën shtetërore të Kosovës dhe përbën një precedent të papranueshëm në komunikimin institucional ndërmjet dy shteteve.
“Paraqitja me flamurin e shtetit tjetër është ngjarje e paprecedent. Është njësoj si me e përdorë pasaportën e tjetrit apo kartelën bankare të tjetrit”, ka shkruar Spahiu duke shtuar se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi ministrin kosovar, por edhe mbi përfaqësuesin e Shqipërisë që, sipas tij, e ka lejuar një situatë të tillë. /Kosova.info/
