Kushtetuesja konstaton shkelje për zvarritje 40-vjeçare të një rasti civil

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, njofton se ka konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm në rastin KI296/25, të parashtruar nga Muhamet Morina, lidhur me një procedurë civile që zgjat tash e më shumë se katër dekada.

Sipas njoftimit, Gjykata njëzëri e shpalli kërkesën të pranueshme dhe vlerësoi se është shkelur neni 31 i Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton të drejtën për një proces të rregullt dhe brenda afateve të arsyeshme.

Rasti në fjalë daton që nga viti 1978, kur parashtruesi kishte iniciuar kontest për vërtetimin e pronësisë mbi disa ngastra. Edhe pse në vitin 1986 ishte marrë një aktgjykim në favor të tij, procedura ka vazhduar me ndërprerje të shumta ndër vite, kryesisht për shkak të vdekjes së palëve dhe çështjeve të trashëgimisë.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi se, pavarësisht një shkalle të caktuar kompleksiteti, zgjatja e procedurës për më shumë se 40 vjet nuk mund të arsyetohet. Ajo theksoi se parashtruesi nuk ka kontribuar në zvarritjen e rastit dhe se institucionet gjyqësore nuk kanë siguruar zhvillim efikas të procedurës.

Në vendimin e saj, Gjykata thekson se shteti ka detyrim të organizojë sistemin gjyqësor në mënyrë që vendimet të merren brenda një kohe të arsyeshme, ndërsa vonesat e gjata cenojnë sigurinë juridike dhe të drejtat pronësore të qytetarëve.

Si përfundim, Gjykata konstatoi se Gjykata Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec ka shkelur të drejtën e parashtruesit për gjykim të drejtë dhe brenda një afati të arsyeshëm kohor. /Kosova.info/

Go to TOP