Gërvalla vizitoi Prokurorinë Themelore në Pejë: Kur ligji sundon, Republika fiton

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, së bashku me Zëvendësministrin e Drejtësisë në detyrë, Genc Nimoni, ka vizituar sot Prokurorinë Themelore në Pejë, ku është pritur nga Kryeprokurorja znj. Lumturije Vuçetaj.

Gjatë vizitës u diskutua për funksionalizimin institucional të sistemit prokurorial, së bashku me sfidat në garantimin e efikasitetit dhe koordinimit në trajtimin e lëndëve.

“Pakoja prej pesë ligjeve, së bashku me funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe procesin e Vetingut, përbëjnë arkitekturën kryesore të forcimit të integritetit dhe konsolidimit të sistemit të drejtësisë”, u shpreh Ministrja Gërvalla.

Ky proces, sipas saj, mbështetet domosdoshmërisht në bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, si element thelbësor për rritjen e efikasitetit dhe forcimin e besimit në sundimin e ligjit.

“Aty ku drejtësia vepron pa kompromis, Republika bëhet më e fortë, institucionet më të besueshme dhe liria e qytetarëve më e sigurt”, përfundoi Ministrja Gërvalla, duke vlerësuar se fuqia e shtetit nuk matet me fjalë, por me aftësinë për ta bërë ligjin të vlejë njësoj për secilin. /Kosova.info/

Go to TOP