BQK dhe ATK bashkëpunojnë për luftimin e ekonomisë joformale

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje për avancimin e shkëmbimit të informacionit dhe forcimin e integritetit financiar.

Përmes kësaj marrëveshje përcaktohen kornizat kryesore të bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve në fushat me interes të përbashkët, në përputhje me mandatet ligjore dhe legjislacionin në fuqi. Marrëveshja është nënshkruar nga guvernatori Ahmet Ismaili dhe drejtori i ATK-së, Mentor Hyseni.

Sipas njoftimit të BQK-së, kjo marrëveshje krijon një bazë më të strukturuar për shkëmbimin e të dhënave dhe informacioneve relevante, koordinimin e aktiviteteve institucionale dhe mbështetjen e analizave që lidhen me stabilitetin financiar, zhvillimet makroekonomike, luftimin e ekonomisë joformale dhe adresimin e veprimtarive që mund të cenojnë integritetin financiar apo ekonomik të vendit.

“Për BQK-në, marrëveshja forcon qasjen në informacione relevante për mbikëqyrjen financiare, analizën institucionale dhe vlerësimin e zhvillimeve që lidhen me stabilitetin dhe integritetin financiar. Duke marrë parasysh zhvillimet në sektorin financiar, digjitalizimin e shërbimeve financiare, avancimin e infrastrukturës së pagesave dhe proceset e integrimit të mëtejshëm të Kosovës në tregjet financiare evropiane, kjo marrëveshje paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional dhe rritjes së kapaciteteve për adresimin e sfidave të përbashkëta”, thuhet në njoftim.

Tutje BQK thekson se mbetet e përkushtuar që përmes kësaj marrëveshjeje të kontribuojë në forcimin e integritetit financiar, mbrojtjen e interesit publik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Republikës së Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP