8.78 milionë franga për transformimin e gjelbër të bizneseve
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, së bashku me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, kanë nënshkruar marrëveshjen pesëvjeçare për zbatimin e projektit “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë (GPEK)”.
Marrëveshja është realizuar ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), me bashkëfinancim nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), dhe do të zbatohet gjatë periudhës 2026–2031.
Sipas njoftimit të MINTI-t përmes këtij projekti, me vlerë të përgjithshme prej 8.78 milionë frangash zvicerane, synohet mbështetja e tranzicionit të gjelbër të sektorit privat në Kosovë, me fokus në rritjen e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë klimatike të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Projekti do të kontribuojë në promovimin e teknologjive më të pastra, rritjen e efikasitetit të përdorimit të burimeve, adoptimin e praktikave të qëndrueshme të biznesit dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik.
Kusari-Lila theksoi se transformimi i gjelbër i industrisë dhe ekonomisë është një nga prioritetet strategjike të ministrisë, duke shtuar se investimet në inovacion, teknologji të qëndrueshme dhe zhvillim të sektorit privat janë thelbësore për rritjen ekonomike afatgjatë të vendit. /Kosova.info/
