Abdixhiku nis turin e falënderimeve pas zgjedhjeve: Rrugëtimi ynë sapo ka nisur

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar nisjen e një cikli takimesh falënderuese me strukturat dhe aktivistët e partisë pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Përmes një postimi publik, Abdixhiku tha se pas një rrugëtimi të gjatë, të shoqëruar me punë, përkushtim dhe sakrificë, ka filluar cikli i falënderimeve për të gjithë ata që kontribuuan gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor.

“Pas një rrugëtimi të gjatë, me shumë punë, përkushtim e sakrificë, sot nisëm ciklin e falënderimeve për njerëzit tanë, për strukturat tona, aktivistët, për secilin që dha kohë, energji e zemër në këtë proces aspak të lehtë”, ka shkruar ai.

Abdixhiku bëri të ditur se takimet e para janë mbajtur në Istog dhe Klinë, ndërsa ky aktivitet do të vazhdojë në të gjitha degët dhe qytetet e Kosovës.

Sipas tij, angazhimi i partisë nuk përfundon me zgjedhjet, por do të vazhdojë me intensitet edhe më të madh në periudhën e ardhshme.

“Rrugëtimi ynë sapo ka nisur, e puna jonë do të rritet edhe më shumë. Do të vazhdojmë në secilën degë e në secilin qytet tonin, me të njëjtën mirënjohje për njerëzit e vërtetë që japin aq shumë, pa kërkuar asgjë në këmbim”, theksoi Abdixhiku.

Ai shtoi se këto takime po organizohen si shenjë mirënjohjeje dhe dedikimi për vazhdimin e angazhimit politik dhe organizativ në të gjithë vendin. /Kosova.info/

Go to TOP