Biçiklisti 78-vjeçar vdes pas goditjes nga një automjet në Prizren
Një 78-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra në një aksident trafiku që ndodhi paraditen e së mërkurës në Prizren.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka thënë se aksidenti është raportuar më 10 qershor 2026, rreth orës 10:00, në rrugën “Faik Konica” në Prizren.
Sipas Bytyqit, deri te aksidenti ka ardhur kur një automjet udhëtarësh ka goditur një biçiklist me pjesën e përparme të automjetit.
“Si pasojë e aksidentit, biçiklisti, mashkull 78-vjeçar, ka pësuar lëndime të rënda trupore. Njësitet policore dhe ekipi i emergjencës kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku viktimës i është ofruar ndihma e parë mjekësore dhe më pas është transportuar për trajtim në QKUK në Prishtinë. Pas disa orësh, si pasojë e lëndimeve të marra, viktima ka humbur jetën”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai ka bërë të ditur se për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit ngasësi i dyshuar mbahet në ndalim policor, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për autopsi.
Policia, në bashkëpunim të ngushtë me prokurorin e shtetit, është duke zhvilluar hetime për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti trafiku.
