Kryeprokurori Gashi pret zyrtarët e Thesarit Amerikan, fokus lufta kundër pastrimit të parave
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka pritur sot në takim përfaqësues të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph W. Burke dhe Norman Richard Smith, Këshilltar për Krime Ekonomike në Zyrën për Asistencë Teknike.
Gjatë takimit, Kryeprokurori Gashi shprehu mirënjohjen për vizitën dhe vlerësoi gatishmërinë e palës amerikane për thellimin e bashkëpunimit institucional. Ai theksoi rëndësinë e punës së përbashkët në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e efikasitetit në zbatimin e ligjit.
Në fokus të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në luftimin e pastrimit të parave, hetimin dhe zbulimin e veprave penale financiare, si dhe adresimi i formave të sofistikuara të kriminalitetit ekonomik.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Departamentit të Thesarit Amerikan shprehën gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes dhe bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë në Kosovë, me synim avancimin e mekanizmave për parandalimin, hetimin dhe zbulimin e suksesshëm të krimeve ekonomike dhe financiare.
Në përmbyllje të takimit, Kryeprokurori Gashi falënderoi zyrtarët amerikanë për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme duke ritheksuar se Prokuroria Themelore në Prishtinë do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për luftimin e dukurive negative dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend. /Kosova.info/
