Kryeqyteti kërkon masa urgjente nga Agjencia Kadastrale për përshpejtimin e trajtimit të lëndëve pronësore gjatë verës

Drejtori i Drejtorisë së Kadastrit në Kryeqytet, Gent Begolli, i është drejtuar zyrtarisht Agjencisë Kadastrale të Kosovës me një kërkesë për ndërmarrjen e masave urgjente që do të mundësonin përshpejtimin e trajtimit të lëndëve pronësore gjatë periudhës verore.

Në kërkesën e dërguar përmes postës elektronike zyrtare, Begolli ka ngritur shqetësimin për vonesat që po shkaktohen në procedimin e lëndëve për shkak të ngarkesës së sistemit aktual. Sipas tij, një nga faktorët kryesorë që po ndikon në zvarritjen e procedurave është mënyra e trajtimit të lëndëve që kthehen për plotësim te noterët, pasi ato rikthehen sërish në radhën e pritjes sipas datës fillestare të aplikimit duke krijuar bllokime dhe duke ndikuar në zgjatjen e afateve për lëndët e tjera.

Për të përmirësuar situatën dhe për të rritur efikasitetin e shërbimeve, Drejtoria e Kadastrit ka kërkuar që gjatë periudhës 1 qershor – 1 shtator të mundësohet përkohësisht lirimi i radhitjes automatike të lëndëve. Sipas kërkesës, kjo masë do të ndihmonte në përshpejtimin e përpunimit të rasteve në procedurë dhe në zvogëlimin e kohës së pritjes për qytetarët.

Kërkesa merr një rëndësi të veçantë gjatë sezonit veror, kur një numër i madh i bashkatdhetarëve qëndrojnë në Kosovë dhe synojnë të përfundojnë procedurat e tyre pronësore brenda afateve sa më të shkurtra.

Po ashtu, Drejtoria e Kadastrit ka propozuar edhe disa përmirësime teknike në sistemin elektronik duke kërkuar që zyrtarët të njoftohen menjëherë pas plotësimit të komenteve nga noterët, si dhe të shmanget trajtimi paralel i së njëjtës lëndë nga më shumë se një zyrtar në të njëjtën kohë.

Sipas Drejtorisë së Kadastrit, këto masa do të ndikonin drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit të procesit, uljen e vonesave dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.

Kryeqyteti ka theksuar se mbetet i përkushtuar në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve administrative dhe në mbështetjen e çdo iniciative që kontribuon në rritjen e transparencës, efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve publike.

Bashkë me njoftimin është bërë e ditur se është bashkëngjitur edhe emaili zyrtar i dërguar nga Drejtoria e Kadastrit drejtuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP