Gashi: PSD-ja ishte “shmeku” i kësaj fushate, e dhimbshme që nuk do të jetë në Kuvend
Analisti politik, Shkëlzen Gashi, ka vlerësuar lart performancën e PSD-së gjatë fushatës së fundit zgjedhore duke e cilësuar atë si elementin më të spikatur të një gare që sipas tij ishte e zbehtë dhe pa shumë përmbajtje.
Përmes një reagimi publik, Gashi tha se ndonëse nuk i njeh personalisht përfaqësuesit e PSD-së dhe nuk pajtohet me ta për shumë çështje, nuk mund të mohojë kontributin e tyre në fushatë.
“Shmeku i kësaj fushate zgjedhore shterpe ka qenë PSD-ja. Tejet kreativë, fort direkt, shumë të guximshëm dhe jashtëzakonisht punëtorë”, u shpreh ai.
Sipas Gashit, PSD-ja gjatë kësaj periudhe nuk u soll vetëm si subjekt politik, por mori edhe rolin që, sipas tij, do të duhej ta kishin gazetarët, komentatorët politikë dhe aktivistët e shoqërisë civile.
Megjithatë, ai vlerëson se partia do të duhej të kishte qenë më kritike edhe ndaj pushtetit duke mos i fokusuar sulmet vetëm ndaj partive opozitare.
“Gjatë kësaj fushate PSD-ja është dashtë me e goditë me video ma shumë e ma fort edhe partinë në pushtet, jo veç partitë opozitare”, tha ai.
Gashi e cilësoi si të dhimbshme mungesën e PSD-së në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës duke theksuar se kjo parti do të kishte qenë “opozita e vetme e vërtetë”.
Ai veçoi edhe kontributin e Frashër Krasniqi në fushatë duke lavdëruar veçanërisht videot e tij.
“Nuk ka video të tyne që s’e kam pa. Videot e Frashër Krasniqit kanë qenë avion”, shkroi Gashi duke rekomanduar veçanërisht dy prej tyre: “Debat me Bedri Hamzën” dhe “Dissi i fundit për Uran Ismailin”. /Kosova.info/
