Lushi: Hashim Thaçi është kompromisi për president, rizgjedhja e tij do t’i sillte stabilitet Kosovës
Veprimtari i çështjes kombëtare, Uk Lushi, ka propozuar që partitë politike në Kosovë ta mbështesin ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për një mandat të ri në postin e presidentit duke e cilësuar atë si figurën e kompromisit që mund të sigurojë stabilitet institucional në vend.
Përmes një reagimi publik, Lushi tha se procesi i ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale ndaj Thaçit ka qenë i motivuar politikisht dhe se pretendimet fillestare për trafikim organesh nga pjesëtarët e UÇK-së nuk janë provuar.
Ai bëri krahasim mes rastit të Thaçit dhe atij të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump duke theksuar se edhe Trump është përballur me procese juridike e politike, por megjithatë është rizgjedhur nga qytetarët amerikanë.
Sipas Lushit, rizgjedhja e Thaçit në krye të shtetit do të përbënte korrigjim të një padrejtësie ndaj tij dhe ndaj Kosovës, ndërsa do të ndihmonte në krijimin e institucioneve të qëndrueshme deri në zgjedhjet e ardhshme.
“Pas mandatit të parë që iu vodh Presidentit Thaçi, mandati i dytë do të ishte pensionimi i tij nga politika dhe mbyllja e kapitullit të çlirimit dhe krijimit të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Në fund, Lushi ka shtruar pyetjen nëse partitë politike në Prishtinë do të kenë “guximin dhe mençurinë” për ta shqyrtuar këtë propozim duke theksuar se qytetarët ua kanë dhënë mundësinë për herë të dytë pas zgjedhjeve. /Kosova.info/
