Shahini: Biznesi ka nevojë për një zë të përbashkët rajonal, jo për kufij dhe pengesa administrative
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, mori pjesë në panelin e organizuar nga OEMVP, ku u diskutua për të ardhmen e odave ekonomike dhe rolin e tyre në zhvillimin e biznesit dhe ekonomisë rajonale.
Gjatë diskutimit, Shahini theksoi se transformimi i odave ekonomike nuk duhet të mbetet vetëm në nivel lokal apo shtetëror, por duhet të shtrihet në një bashkëpunim më të gjerë rajonal. Sipas tij, në një ekonomi gjithnjë e më të ndërlidhur, është jetike që odat ekonomike të Ballkanit Perëndimor të ndërtojnë një rrjet të fuqishëm bashkëpunimi, i cili flet me një zë të përbashkët për interesat e biznesit, tregtinë e lirë, investimet dhe rritjen e konkurrueshmërisë.
“Bizneset në të gjithë rajonin përballen me sfida të ngjashme dhe zgjidhjet kërkojnë më shumë bashkëpunim, koordinim më të fortë dhe përfaqësim të unifikuar para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare”, deklaroi Shahini.
Ai vlerësoi se heqja e barrierave administrative dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal janë faktorë kyç për krijimin e një mjedisi më të favorshëm për biznesin dhe investimet.
Në fund, kryetari i AKB-së theksoi se vetëm përmes veprimit të përbashkët mund të sigurohet zhvillim ekonomik i qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.
“Vetëm të bashkuar mund të krijojmë kushte më të mira për biznesin, tërheqjen e investimeve dhe rritjen ekonomike afatgjatë në rajonin tonë”, përfundoi Shahini. /Kosova.info/
