Spahiu: Pjesa e mbetur e pagave shpresoj të ekzekutohet këtë javë

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të RTK-së, Zana Spahiu, pas protestës së mbajtur sot në transmetuesin publik, ka deklaruar se është ekzekutuar 50 për qind e pagave për secilën kategori më 5 qershor dhe se institucioni është në komunikim të vazhdueshëm për sigurimin e pjesës së mbetur.

“Ne kuptojmë shqetësimin e çdo punëtori, lidhur me ekzekutimin e pjesshëm të pagave. Pra ne kemi ekzekutuar 50% të pagave për secilën kategori me 5 qershor dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse në mënyrë që të sigurohet edhe pjesa tjetër e pagave, në një periudhë sa më të shkurtër kohore. Shpresojmë që edhe gjatë javës mund të ndodhë kjo”, ka thënë Spahiu.

Ajo ka theksuar se RTK mbetet e përkushtuar ndaj transparencës dhe përgjegjësisë.

“Më lejoni t’ju them që RTK mbetet e përkushtuar gjithmonë ndaj transparencës, përgjegjësisë institucionale”, është shprehur ajo.

Punonjësit e Radio Televizionit të Kosovës kanë protestuar sot, duke kërkuar ekzekutimin e plotë të pagave për muajin qershor dhe respektimin e të drejtave të tyre.

Go to TOP