Tjetërsimi i historisë, rrezik për vendin
“Biblioteka Kombëtare u ndërtua në vitin 1952. A e dini kush e ndërtoi? Një arkitekt kroat. Sigurisht, shqiptarët nuk do të mund ta ndërtonin kurrë. Ne nuk do të ndërtonim një ndërtesë kaq të shëmtuar”.
Kjo është një nga mënyrat e shtrembërimit të historisë dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës, që çdo ditë e më shumë bëhet shqetësim serioz dhe në rritje, për institucionet e vendit dhe shoqatat e turizmit në vend. Shumë guida të huaja e përshkruajnë Prishtinën, si një qyteti të shëmtuar, pa trashëgimi e histori.
Ndërkohë që ka dhe të tilla që luftën e përshkruajnë si konflikt civil, duke përdorur edhe terma mohues ndaj sovranitetit të Kosovës, që dëmton perceptimin ndërkombëtar të shtetësisë.
“Mirëpo kjo ndodh në baza ditore, do të thotë shtrembërime ka pasur kur është potencuar që Manastiri i Graqanicës është bombarduar 2 herë prej NATO-së, ka pasur raste kur është thënë që në Kosovë jetojnë 70 përqind shqiptar e 30 përqind janë serb, apo që Termokosi i famshëm është prezantuar si Statuja e Lirisë e cila ëhstë ndërtuar pas luftës”, tha për RTK, Muhamer Hasani, udhërrëfyes turistik.
Megjithëse në Kosovë ekzistojnë guida të trajnuara dhe të certifikuara nga organizata profesionale vendore e ndërkombëtare, ato edhe më tej mbesin të palicencuara, problem ky që Unionit të Turizmit në vend po e ngre tash e sa kohë si shqetësim.
“Për fat të keq nuk është ndërmarrë diçka konkrete sa i përket kësaj. është për keqardhje që Kosova sot nuk e ka asnjë ciceron të licencuar nga shteti dhe kjo është pengesa që pastaj që ne si shtet nuk mundemi me i ndalu ciceronët e shteteve të tjera për të ardhur dhe për të prezantuar kulturën, traditën e historinë tonë dhe për ta shtrembëruar atë çka është një veprim dhe një gjest shumë I keq për vetë imazhin e Kosovës për vetë shtetin tonë”, tha Baki Hoti, Unioni I Turizmit të Kosovës
Pavarësisht se i miratuar në vitin 2022, Ligji i Turizmit, përcakton rregullat që mund t`i bëjnë ballë fenomenit të shtrembërimit të informacioneve, zbatimi mbetet një sfidë e madhe.
Ministria e Turizmit nuk ka sistem funksional të licencimit ndërkohë që pritet që brenda këtij muaji të hidhet hap pozitiv në këtë drejtim.
Për përfaqësuesit e sektorit, licencimi i guidave turistike nuk është vetëm çështje profesionale. Ata thonë se bëhet fjalë për mbrojtjen e historisë, kulturës dhe imazhit të Kosovës përballë mijëra vizitorëve që e njohin vendin përmes rrëfimeve që dëgjojnë gjatë vizitës së tyre.
