Kelmendi: Nëse një drejtor humb 31% të investimit tuaj, a do ta mbanit ende në punë?

Gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar me një analogji të fortë lidhur me zhvillimet e fundit politike duke ngritur pyetjen se sa përgjegjësi duhet të ketë një drejtues kur humb një pjesë të konsiderueshme të besimit apo kapitalit që i është besuar.

Përmes një shembulli të thjeshtuar, Kelmendi përshkruan situatën e një pronari biznesi që i beson drejtorit të tij 433 mijë euro për të arritur një marrëveshje me një kompani tjetër për blerjen e një objekti me vlerë 600 mijë euro. Sipas tij, drejtori dështon të arrijë marrëveshjen dhe bind pronarin të bëjë një investim tjetër, i cili përfundon me humbje prej 134 mijë eurosh.

“Në fund nuk i ka më 433,394 euro, por vetëm 299,152 euro. Çka do të bënit ju nëse do të ishit pronari? A do ta mbanit në punë një drejtor që ju ka humbur 30.97% të parave vetëm se nuk ka qenë i aftë të merret vesh me kompani të tjera?”, shkruan Kelmendi.

Ai thekson se në një situatë të tillë shumica e pronarëve nuk do t’ia besonin më drejtimin e biznesit një personi që ka shkaktuar humbje të tilla.

“Jo! Paratë tuaja nuk do t’ia besonit më një drejtori të tillë. As nëse do të ishte djali juaj. E kishit qitë direkt prej pune”, përfundon ai.

Postimi i Kelmendit është interpretuar si një krahasim politik me rezultatet e fundit zgjedhore dhe humbjen e konsiderueshme të mbështetjes elektorale duke nxitur debat mbi përgjegjësinë e liderëve përballë rezultateve që prodhojnë. /Kosova.info/

Go to TOP