Ilir Ferati falënderon qytetarët: Besimi juaj e riktheu LDK-në dhe na forcoi për të ardhmen

Kryetari i Istogut dhe i degës së LDK-së në Istog, Ilir Ferati, ka shprehur mirënjohjen e tij për qytetarët e Istogut dhe të Kosovës për mbështetjen e dhënë ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës duke vlerësuar angazhimin dhe besimin e tyre gjatë proceseve të fundit politike.

Përmes një mesazhi publik, Ferati tha se qytetarët e Istogut kanë dëshmuar kulturë, durim dhe lidhje të fortë me LDK-në duke qëndruar pranë partisë edhe në periudha sfiduese.

“Në pikat e krenarisë, gjithmonë mirënjohja ime është e juaja. Ballëhapur e faqebardhë përgjatë tërë këtyre proceseve, ku keni tregu kulturën, durimin e kryesisht lidhjen e fortë që e mbani me LDK-në”, ka shkruar ai.

Ferati theksoi se, pavarësisht lodhjes dhe sfidave me të cilat janë përballur qytetarët, LDK-ja ka vazhduar punën pa u ndalur duke arritur të rikthejë besimin e elektoratit.

Ai u shpreh se mbështetja e qytetarëve ka qenë vendimtare edhe në përpjekjet për ruajtjen e vlerave demokratike të vendit.

“Për të gjithë këtë kaos politik, në tentimin tonë të vazhdueshëm mos me u shndërru Republika jonë demokratike e e pavarur në një vend komunizmi, besimi juaj na ka ringritë edhe njëherë”, deklaroi Ferati.

Në fund, kryetari i Istogut theksoi se LDK-ja mbetet një shtëpi e përbashkët e vlerave dhe e qytetarëve duke premtuar vazhdimin e angazhimit për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit.

“Tash kur sytë tuaj kalojnë te ne, ne jemi këtu e qëndrojmë për t’ndërtu e rindërtu. LDK është një shtëpi e përbashkët, një shtëpi e vlerave të atyne që e ndërtuam, neve që e ruajmë dhe, mbi të gjitha, edhe shtëpia juaj”, përfundoi ai. /Kosova.info/

Go to TOP