Tusha dhe Idrizi sjellin projektin “Tetovë-Tiranë”, një himn për unitet

Dy artistët e njohur shqiptarë dhe profesorët universitarë, Kastriot Tusha dhe Bajramali Idrizi, kanë sjellë për publikun projektin e ri muzikor “Tetovë–Tiranë”, një këngë me mesazh të fortë patriotik që synon të forcojë lidhjet shpirtërore mes shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Përmes një interpretimi të veçantë, dy artistët ndërthurin elemente të muzikës klasike me frymën moderne, duke krijuar një vepër artistike që promovon vlerat kombëtare, kulturën dhe identitetin shqiptar. Kënga paraqet Tetovën dhe Tiranën si dy qytete simbol të një gjuhe, një gjaku dhe një zemre të përbashkët, duke përcjellë mesazhe dashurie për atdheun, krenarie kombëtare dhe uniteti mes shqiptarëve kudo që jetojnë.

Videoklipi i projektit është realizuar në Tiranë dhe Tetovë. Në kryeqytetin shqiptar janë përfshirë disa prej pamjeve më karakteristike të qytetit, ndërsa në Tetovë theksi është vendosur te promovimi i trashëgimisë kulturore dhe arsimore. Një vend të veçantë në videoklip zë Universiteti i Tetovës, ku shfaqen pamje nga historia e institucionit, drejtuesit e tij, si dhe studentët që kanë qenë pjesë e realizimit të projektit.

Kastriot Tusha dhe Bajramali Idrizi janë profesorë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Tetovës. Idrizi ushtron detyrën e shefit të programit, ndërsa Tusha ka dhënë për vite me radhë kontribut të rëndësishëm në fushën e solokëndimit dhe edukimit muzikor.

Me “Tetovë–Tiranë”, dy artistët synojnë të sjellin jo vetëm një projekt muzikor, por edhe një mesazh bashkimi dhe afërsie kombëtare, duke e kthyer këngën në një urë lidhëse mes shqiptarëve në të gjitha trojet.

Go to TOP