Rama: Qeveria po pret shirita në projektet e Prishtinës, “bilanci i saj mbetet Vada e Lupçit”
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj inaugurimit të një rruge lokale në kryeqytet duke akuzuar Qeverinë e Kosovës se po përpiqet të përvetësojë projekte që, sipas tij, janë realizuar dhe menaxhuar nga Komuna e Prishtinës.
Rama tha se ministri përkatës ka prerë shiritin e një projekti që, sipas tij, është rezultat i kontratës, menaxhimit dhe marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe operatorit ekonomik, ndërsa roli i ministrisë ka qenë vetëm bashkëfinancues.
Sipas tij, investimi në këtë projekt është financuar me 1.65 milion euro nga Komuna e Prishtinës dhe 1.5 milion euro nga ministria, mjete të planifikuara për vitet 2024, 2025 dhe 2026.
“Prandaj, Kryeqyteti është investitori dhe përgjegjësi kryesor i këtij projekti”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se deri më tani ministria ka realizuar vetëm rreth 600 mijë euro pagesa për vitet 2024 dhe 2025, ndërsa për vitin 2026, sipas tij, nuk është paguar ende asnjë euro.
Rama theksoi se dokumentacioni dhe kontrata dëshmojnë se projekti i takon Komunës së Prishtinës duke argumentuar se përgjegjësia për realizimin e tij i takon institucionit që ai drejton.
Në reagimin e tij, ai kritikoi ashpër Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti duke thënë se pas gjashtë vitesh në pushtet, bilanci i saj në investime kapitale vazhdon të identifikohet me “Vadën e Lupçit”.
“Nuk është çudi që kanë zbritur në Prishtinë për të prerë shiritat e projekteve komunale”, u shpreh Rama duke ironizuar ministrat se nëse kanë dëshirë të presin shirita, Komuna e Prishtinës mund t’i ftojë në projekte të tjera të kryeqytetit. /Kosova.info/
