FC Prishtina kërkon falje për sezonin dëshpërues në deklaratën e fundit

FC Prishtina ka dalë me një deklaratë pas përfundimit të sezonit 2025/26, ku ka kërkuar falje për rezultatet sportive dhe ka premtuar ndryshime të rëndësishme në klub.

Kryesia e klubit pranoi zhgënjimin e tifozëve, duke theksuar se “borxhi ynë i vetëm mbetet ndaj tifozërisë sonë për rezultatet sportive të këtij edicioni”, ndërsa i kërkoi falje Plisave dhe të gjithë mbështetësve të klubit.

Në deklaratë u bë e ditur se ka nisur procesi i riorganizimit të plotë të FC Prishtinës, si dhe puna për realizimin e kompleksit sportiv në Bërnicë, i cilësuar si një projekt strategjik për të ardhmen e klubit.

Klubi gjithashtu theksoi se ka arritur “konsolidim të plotë financiar dhe sot nuk ka asnjë obligim apo borxh ndaj askujt”.

Presidenti Driton Krasniqi bëri të ditur se së shpejti pjesë e klubit do të bëhen “personalitete profesionale dhe akademike, njerëz me integritet dhe karrierë të dëshmuar”, me synimin për ta rikthyer FC Prishtinën në majat e futbollit kosovar.

Go to TOP