Abdixhiku: Në Gjilan s’ka vend për propagandë – premton përfundimin e Autostradës menjëherë
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka qëndruar sot në Gjilan, ku është pritur me entuziazëm nga qytetarët e Anamoravës duke e cilësuar këtë si një shenjë të rritjes së mbështetjes për ndryshim.
Në fjalën e tij, Abdixhiku theksoi se qeverisja e ardhshme nuk do të karakterizohet nga “propaganda dhe fotografitë ceremoniale”, por nga punë konkrete dhe projekte madhore. Ai u zotua se një nga prioritetet kryesore do të jetë përfundimi i Autostradës së Gjilanit, për të cilën tha se duhet të realizohet menjëherë.
“Kosova nuk ka më kohë për mburrje boshe. Ka nevojë për rezultate dhe për njerëz që përfundojnë punë,” deklaroi ai.
Abdixhiku prezantoi edhe kandidatët e LDK-së për këtë zonë, ku në Gjilan garojnë Lutfi Haziri (nr. 5), Valentina Bunjaku Rexhepi (nr. 21), Gentrit Murseli (nr. 68), Besim Guda (nr. 69) dhe Drenushë Maloku Bejtullahu (nr. 103).
Ndërkaq, në Artanë kandidon Bajrush Ymeri (nr. 93), ndërsa në Kamenicë garon Jeton Biqkaj (nr. 102).
Ai theksoi se Anamorava “e njeh mirë dallimin mes zhurmës dhe punës” duke shtuar se ngritja e Gjilanit do të reflektohet në gjithë Kosovën. /Kosova.info/
