LDK në Prishtinë premton investime dhe projekte të reja zhvillimore
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim elektoral në degën e dytë të Prishtinës, ku u prezantuan prioritetet e programit qeverisës dhe u premtuan investime në kryeqytet, si dhe u kërkua mbështetje për realizimin e projekteve zhvillimore.
Lidhja Demokratike e Kosovës në vazhdën e aktiviteteve elektorale për zgjedhje të parakohshme ka mbajtur tubim në degën e dytë të Prishtinës.
Lumir Abdixhiku, kandidat për kryeministër nga LDK, edhe këtu prezantoi disa nga prioritetet e programit të tij qeverisës. Ai premtoi investime në kryeqytet prej 1.5 miliard euro.
“Do të bëjmë edhe unazën e jashtme të Prishtinës, edhe mësimin gjithë ditor, do ta bëjmë unazën e brendshme të plotë dhe do ta bëjmë spitalin e Prishtinës, janë 1.5 miliardë euro investime për qytetin tonë”, tha mes tjerash Abdixhiku.
Vjosa Osmani, bartëse e listës dhe kandidate për presidente nga LDK, duke i dhënë mbështetje Abdixhikut tha se me të kryeministër çdo zotim do të bëhet realitet.
“Një qeveri qendrore që zgjohet në mëngjes sa vende pune do të krijojë. Ju bëj thirrje që në këto zgjedhje nacionale të mos lëmë asnjë gur pa lëvizur që ta rikthejmë…”, deklaroi mes tjerash Osmani.
Në këtë tubim u tha se LDK synon t’u ofrojë qytetarëve më shumë mundësi, mirëqenie dhe ekonomi, derisa u zotuan për angazhim në zbatimin e projekteve që, sipas LDK-së, do ta çojnë vendin drejt një faze të re zhvillimi.
