KOMF reagon: Të ndalet përfshirja e fëmijëve në fushatat zgjedhore
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka reaguar ndaj raportimeve të fundit nga terreni, ku sipas tyre, fëmijët po përfshihen dhe përdoren nga subjekte politike për promovimin e aktiviteteve dhe mesazheve zgjedhore.
Në reagimin e tyre publik, KOMF u bën thirrje të gjitha partive politike që të respektojnë të drejtat e fëmijëve dhe të shmangin çdo formë të përfshirjes së tyre në aktivitete të fushatës. Sipas tyre, përdorimi i fëmijëve për qëllime politike përbën shkelje të të drejtave të tyre dhe cenon mirëqenien e tyre duke mos qenë në interesin më të mirë të fëmijës.
Organizata i ka bërë thirrje edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të monitorojë aktivitetet e subjekteve politike dhe të ndërmarrë masa në çdo rast kur konstatohet përfshirja e fëmijëve në fushatë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Një apel i veçantë është drejtuar edhe prindërve duke i ftuar ata që të mos i ekspozojnë fëmijët ndaj aktiviteteve politike dhe të mos i përfshijnë në tubime, aktivitete promovuese apo ngjarje të organizuara nga partitë politike.
Po ashtu, KOMF ka kërkuar nga mediat që të luajnë rol aktiv në monitorimin e respektimit të të drejtave të fëmijëve gjatë procesit zgjedhor dhe të raportojnë rastet e mundshme të shkeljeve duke garantuar gjithmonë mbrojtjen e identitetit dhe privatësisë së tyre. /Kosova.info/
