Hadergjonaj përkujton heronjtë e Koshares: Sakrifica e tyre, themel i lirisë së Kosovës
Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së me numër 22, Fadil Hadergjonaj, ka përkujtuar 27-vjetorin e rënies heroike të Gjemajl Fetahajt dhe Milazim Shalës duke vlerësuar lart sakrificën e tyre në Betejën e Koshares.
Hadergjonaj theksoi se vitet kalojnë, por kujtimet dhe sakrifica e heronjve mbeten të gjalla në ndërgjegjen e popullit. Ai kujtoi se dy dëshmorët ranë në përballje të drejtpërdrejtë me armikun duke dhënë jetën për lirinë e Kosovës.
Sipas tij, falë gjakut të dëshmorëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendi sot gëzon lirinë dhe pavarësinë.
“Sakrifica e tyre është themeli mbi të cilin u ndërtua liria dhe shtetësia jonë”, ka theksuar Hadergjonaj.
Në fund, ai shprehu respekt dhe mirënjohje të thellë për familjet e dëshmorëve dhe bashkëluftëtarët duke bërë thirrje që kujtimi dhe ideali i tyre të mbeten gjithmonë të gjalla.
“Lavdi e përjetshme Gjemajl Fetahajt dhe Milazim Shalës! Lavdi të gjithë të rënëve për liri!”, përfundoi ai. /Kosova.info/
