Kosova dhe Japonia thellojnë bashkëpunimin ekonomik dhe digjital: Fokusi në investime dhe teknologji
Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, mirëpriti në takim të Ngarkuarin me Punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, z. Hiroyasu Tanigaki, me të cilin zhvilloi një diskutim miqësor mbi thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.
Gjatë takimit, Ministri Jagxhiu dhe z. Tanigaki biseduan për vizitën e frytshme të Ministrit në Japoni, si dhe për vizitën e planifikuar të bizneseve japoneze në Kosovë gjatë vjeshtës së këtij viti.
Tanigaki vlerësoi se kjo vizitë do të ketë rëndësi të veçantë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, pasi u krijon bizneseve japoneze mundësinë që nga afër të njihen me ambientin e të bërit biznes në Kosovë dhe me potencialin që ofron vendi ynë.
Në kuadër të angazhimeve për avancimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet dy vendeve, u veçua edhe pjesëmarrja e Kosovës në “Expo Osaka 2025”. U theksua se ky prezantim ndërkombëtar i Kosovës u ka mundësuar ndërmarrjeve japoneze të krijojnë një pasqyrë më të qartë për potencialin ekonomik dhe investues të vendit.
Gjatë takimit, u vlerësua ambienti i sigurt dhe i favorshëm që ofron Kosova për të bërë biznes, si një element i rëndësishëm për investitorët dhe bizneset japoneze. Po ashtu, u shpreh interes i përbashkët për zgjerimin e bashkëpunimit, veçanërisht në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Me këtë rast, Ministri Jagxhiu falënderoi Qeverinë japoneze për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe për gatishmërinë për të avancuar më tej partneritetin ndërmjet dy vendeve. Në veçanti, ai shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen ndaj transformimit digjital të Kosovës përmes dy granteve që Kosova ka përfituar në kuadër të programit “Quality Infrastructure Investment”, i cili menaxhohet nga Banka Botërore dhe financohet nga Qeveria e Japonisë.
