Burjani ngre dyshime për vepër penale: Subvencionimi i biletave mund të ndikojë në votë
Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, ka ngritur shqetësime lidhur me mundësinë e konsumimit të veprave penale në rastin e subvencionimit apo pagesës së biletave të aeroplanit për bashkatdhetarët gjatë periudhës parazgjedhore.
Sipas tij, nëse një veprim i tillë lidhet me ndikimin në votë apo përfitime elektorale, atëherë mund të bie ndesh me dispozitat e Kodi Penal i Republikës së Kosovës. Burjani thekson se përdorimi i buxhetit publik apo ofrimi i favoreve materiale për votuesit mund të interpretohet si cenim i lirisë së votës dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare gjatë proceseve zgjedhore.
Ai i referohet neneve përkatëse të Kodit Penal, ku Neni 210 trajton ndikimin ndaj votuesve përmes varësisë ekonomike apo presionit indirekt, ndërsa Neni 211 lidhet me keqpërdorimin e detyrës zyrtare në zgjedhje. Po ashtu, Neni 212 parasheh se ofrimi apo dhënia e përfitimeve të pamerituara me qëllim ndikimi në votim mund të cilësohet si ryshfet elektoral.
Burjani vlerëson se problemi nuk qëndron vetëm te procedurat, por sidomos te momenti kohor dhe qëllimi i vendimit. Sipas tij, realizimi i një subvencioni të tillë në kohë zgjedhore krijon perceptimin e përdorimit të resurseve publike për qëllime politike duke ngritur nevojën për hetim nga institucionet përkatëse, përfshirë Prokurorinë Speciale.
Në analizën e tij, ai sjell si shembull edhe raste ndërkombëtare duke përmendur ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy, i cili është hetuar dhe gjykuar për çështje që lidhen me financimin politik dhe keqpërdorimin e ndikimit shtetëror. Sipas Burjanit, kjo dëshmon se edhe në demokracitë perëndimore, ndërhyrjet që cenojnë barazinë zgjedhore trajtohen si çështje serioze juridike. /Kosova.info/
