Sadiku: Amaterizmi i Qeverisë Kurti po e lë Gjilanin dhe Kosovën në vendnumëro
Kandidati për deputet nga radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, me numër 23, ka reaguar ashpër ndaj qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti duke e cilësuar atë si të mbushur me amatorizëm dhe dështime konkrete.
Sadiku ka theksuar se Kosova sot përballet me një problem kryesor, që sipas tij është mungesa e profesionalizmit në qeverisje. Ai ka marrë si shembull Gjilan duke thënë se kjo komunë, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje për vite me radhë, nuk ka përfituar zhvillimin e pritur pavarësisht pushtetit të plotë në nivel qendror dhe lokal.
Sipas tij, Gjilani ka mbetur pa projekte madhore infrastrukturore si autostrada, pa investime në sport si stadiumi, si dhe pa zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, ndonëse është një rajon me rëndësi strategjike që lidh Kosovën me shqiptarët e Luginës dhe me një diasporë të fuqishme.
Sadiku ka kritikuar gjithashtu performancën e institucioneve në fusha të ndryshme duke përmendur rezultatet në arsim, shëndetësi, ekonomi, energji dhe procesin e njohjeve ndërkombëtare, për të cilat ai tha se e rendisin Kosovën ndër vendet e fundit në Evropë.
Në fund, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që përmes votës së tyre të ndalin, siç u shpreh ai, “shkatërrimin e mëtejmë të vendit” dhe të sjellin ndryshim në qeverisje. /Kosova.info/
