Gjykata në Shkup vendos paraburgim për shoferin 76-vjeçar

Gjykata në Maqedoninë e Veriut ka vendosur masën e paraburgimit ndaj shoferit të kamionit të përfshirë në aksidentin e rëndë që ndodhi në qarkoren veriore të Shkupit, ku humbën jetën katër persona.

Sipas Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, bëhet fjalë për një shtetas 76-vjeçar nga Kosova, i cili dyshohet se gjatë drejtimit të kamionit nuk ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe intensitetin e trafikut, duke vënë në rrezik sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion.

Ndaj tij është hapur procedurë hetimore për veprën penale “Krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik”.

Prokuroria ka kërkuar paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së përsëritjes së veprës, kërkesë që është miratuar nga gjykata.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, shoferi po lëvizte me një kamion të markës MAN me gjysmërimorkio kur humbi kontrollin mbi automjetin. Kamioni doli në korsinë e kundërt, theu barrierën ndarëse metalike dhe u përplas ballë për ballë me një veturë BMW.

Përplasja shkaktoi zjarr të menjëhershëm në të dy automjetet. Katër personat që ndodheshin në veturën BMW humbën jetën në vendngjarje, ndërsa shoferi i kamionit mbeti i vetmi i mbijetuar.

Autoritetet kompetente kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht shkaqet dhe rrethanat që çuan në këtë tragjedi rrugore.

Go to TOP