Abdixhiku në Istog: Pa barazi për gratë, nuk ka zhvillim të plotë
Lumir Abdixhiku ka vazhduar aktivitetet e tij në terren duke u ndalur këtë herë në Istog, ku zhvilloi një takim të veçantë me gra nga kjo komunë.
Pas vizitave në Llap dhe Drenicë, Abdixhiku tha se diskutimi në Istog u përqendrua te sfidat reale me të cilat përballen gratë çdo ditë duke përfshirë pabarazitë në punësim, mungesën e mundësive për avancim dhe përfaqësimin e ulët në vendimmarrje.
Ai theksoi se shumë gra vazhdojnë të përballen me “pengesat e heshtura” dhe me një barrë të padrejtë që shoqëria ende ua vendos mbi supe duke kërkuar që shteti të marrë rol më aktiv në adresimin e këtyre çështjeve.
“Një Kosovë që i kërkon grave të jenë shtylla e familjes, ekonomisë dhe shoqërisë, nuk mund t’u ofrojë më pak mundësi dhe mbështetje”, u shpreh Abdixhiku.
Në fund, ai theksoi se zhvillimi i plotë i vendit është i pamundur pa arritjen e barazisë së plotë gjinore duke e konsideruar këtë si një nga prioritetet kryesore për të ardhmen. /Kosova.info/
