Abdixhiku nga Skënderaj: Drenica meriton zë të fuqishëm në projektin e zhvillimit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në hapjen e zyrave të reja të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Skënderaj, duke e cilësuar këtë hap si pjesë të misionit për shtrirjen e rugovizmit dhe forcimin e përfaqësimit qytetar, shkruan Kosova.info.
Në fjalën e tij, Abdixhiku theksoi peshën historike të Drenicës, duke përmendur figurat e shquara si Shaban Polluzha, Familja Jashari dhe vëllezërit Geci, të cilët sipas tij përfaqësojnë sakrificën dhe qëndresën shqiptare ndër breza.
Ai deklaroi se në këtë “tokë krenarie dhe dinjiteti” po ndërtohet një kapitull i ri politik, me synimin për të fuqizuar zërin e qytetarëve të Drenicës në projektin e bashkimit, zhvillimit dhe shtetndërtimit.
Abdixhiku gjithashtu vlerësoi angazhimin e Fadil Geci për organizimin e strukturave të LDK-së në këtë komunë, duke kërkuar zgjerimin e partisë në çdo fshat përmes krijimit të nëndegëve të reja.
Hapja e zyrave të reja në Skënderaj shihet si pjesë e përpjekjeve të LDK-së për konsolidim dhe zgjerim të bazës së saj në rajonet me rëndësi historike dhe politike në Kosovë. /Kosova.info/
