Spektakël në Prishtinë: Nis fuqishëm WTT Youth Contender 2026, shkëlqejnë talentët kosovarë

Me përballje të forta dhe një atmosferë sportive të jashtëzakonshme, është përmbyllur dita e parë e garave botërore WTT Youth Contender Prishtina 2026, që po zhvillohen në Pallati i Rinisë dhe Sporteve.

Gjatë ditës së sotme u zhvilluan ndeshje në kategoritë U13 dhe U17 për vajza dhe djem, ku sportistë nga vende të ndryshme të botës dhuruan duele interesante dhe nivel të lartë gare. Programi nisi me ndeshjet e grupeve në kategorinë U17 Boys Singles dhe vijoi me përballje në U17 Girls Singles, U13 Boys Singles dhe U13 Girls Singles duke kulmuar në mbrëmje me fazat eliminuese.

Paraqitje shumë pozitive shënuan edhe përfaqësuesit e Kosovës. Denat Makolli dominoi Group 5 në kategorinë U13 Boys Singles duke e mbyllur fazën e grupeve me dy fitore dhe vendin e parë. Ndërkohë, Erina Vranovci u rendit e dyta në Group 3 të U13 Girls Singles. Në kategorinë U17 Boys Singles, Muhamed Mudut dhe Amanet Sejdiu përfunduan në vendin e dytë në grupet e tyre përkatëse duke siguruar kualifikimin tutje.

Garat vazhdojnë nesër me fazën e 1/16-së, ku Denat Makolli dhe Erina Vranovci do të zbresin në tavolinë nga ora 15:15. Po në të njëjtën orë do të paraqiten edhe Imran Duraki dhe Det Konushevci, në përpjekje për të vazhduar rrugëtimin në këtë turne prestigjioz.

Organizatorët ftojnë të gjithë dashamirët e pingpongut që të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje dhe të mbështesin sportistët vendas në tribunat e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. /Kosova.info/

Go to TOP