Demokracia në kurrizin e krahasimit të modeleve

Shkruan: Besart VLLAHINJA

Fushatat zgjedhore, sipas doktrinës politike, janë menduar të ndërtohen mbi sheshe, tubime, parulla dhe premtime zgjedhore. Kandidati, sipas konceptit politik, prezantohet para qytetarëve dhe kërkon besimin e tyre. Qytetari dëgjon, krahason dhe në fund vendos. Të paktën kështu është imagjinuar demokracia: si një akt i vetëdijshëm, ku njeriu përballë alternativave politike zgjedh atë që i duket më e drejtë, më e afërt, më e dobishme.

Por sot, në kohën e teknologjive digjitale, zgjedhja nuk ndodh vetëm në kabinën e votimit. Ajo fillon shumë më herët: në telefon, në rrjete sociale, në lajmet që lexojmë, në videot ku ndalemi disa sekonda më gjatë, në komentet që na provokojnë dhe në temat që na mbajnë kureshtar. Para se qytetari ta zgjedhë kandidatin, dikush tashmë ka filluar ta lexojë qytetarin.

Kjo është logjika që në botën teknologjike quhet “collaborative filtering”, por në gjuhë më njerëzore mund të përkthehet kështu: sistemi vëren çfarë kanë zgjedhur njerëzit që asocojnë me ty dhe, mbi këtë bazë, përpiqet të parashikojë çfarë mund të zgjedhësh edhe ti.

Në rrafshin ekonomik, kjo është ekuacion. Nëse ke blerë një libër, platforma të sugjeron libra të tjerë që i kanë blerë njerëz me shije të ngjashme. Nëse ke parë një film, platforma të sugjeron filma të tjerë që i kanë parë njerëz si ti. Por kur kjo logjikë hyn në politikë, pyetja bëhet më e rëndë: nëse sistemi e di kë do të votoje, a mund të ndikojë edhe kë duhet të shohësh, kë duhet të besosh dhe kujt duhet t’i afrohesh?

Në garat zgjedhore, kjo mund të përdoret në mënyrë shumë të sofistikuar. Le të marrim një shembull të thjeshtë. Një votues tregon interes për një kandidat që flet për ekonomi, punësim dhe mbështetje për bizneset e vogla. Sistemi nuk e sheh këtë vetëm si një zgjedhje të rastësishme. Ai fillon të ndërtojë një profil: ky votues mund të jetë i ndjeshëm ndaj temave ekonomike. Mund të jetë pragmatik. Mund të mos motivohet shumë nga ideologjia, por nga përfitimi konkret. Mund të jetë më afër kandidatëve që flasin për stabilitet, zhvillim dhe mundësi pune.

Pastaj sistemi shikon votues të tjerë me sjellje të ngjashme. Çfarë kandidatëve u kanë kushtuar vëmendje ata? Cilat video i kanë parë deri në fund? Cilat mesazhe i kanë shpërndarë? Cilat tema i kanë bërë të reagojnë? Nëse një numër i madh i këtyre votuesve kanë treguar interes edhe për kandidatë të tjerë të një profili të caktuar, atëherë sistemi mund t’ia rendisë edhe këtij votuesi të njëjtët kandidatë si “të përshtatshëm”.

Kështu, lista e kandidatëve që i shfaqet qytetarit mund të mos jetë domosdoshmërisht neutrale. Ajo mund të jetë rezultat i një leximi të heshtur të sjelljes së tij dhe të sjelljes së njerëzve që i ngjajnë atij. Pra, votuesi nuk sheh vetëm listën politike. Ai sheh një listë të riorganizuar sipas gjasave që sistemi mendon se ai do të pëlqejë, pranojë ose votojë.

Këtu politika fillon të ngjajë me një vitrinë të personalizuar. Secilit qytetar i shfaqen kandidatët, temat dhe mesazhet që i përshtaten më shumë natyrës së tij të parashikuar. Një qytetari i dalin kandidatët që flasin për rend dhe siguri. Një tjetri ata që flasin për paga dhe çmime. Një të riu i shfaqen fytyra të reja, gjuhë moderne dhe premtime për teknologji. Një pensionisti i dalin mesazhe për stabilitet, kujdes social dhe respekt për traditën.

Në pamje të parë, kjo mund të duket si përparim. Fundja, pse të mos marrë secili qytetar informacionin që i intereson më shumë? Pse të mos jetë politika më e afërt me nevojat individuale?

Por pikërisht këtu qëndron rreziku filozofik dhe demokratik.

Sepse demokracia nuk është vetëm përputhje mes dëshirës së qytetarit dhe ofertës së kandidatit. Demokracia është edhe ballafaqim. Është mundësia për të dëgjuar atë që nuk na pëlqen, për t’u përballur me argumentin tjetër, për të parë edhe kandidatin që nuk do ta kishim kërkuar vetë. Nëse sistemi na tregon vetëm atë që mendon se na përshtatet, atëherë ne nuk informohemi më plotësisht. Neve na prezantohet një version i përzgjedhur i realitetit.

Në këtë kuptim, rreziku nuk është vetëm seleksionimi i drejtpërdrejtë i informatës. Rreziku më i madh është ngushtimi i horizontit tonë politik. Qytetari fillon të shohë një botë ku gjithçka duket sikur e konfirmon atë që ai tashmë mendon. Kandidatët që i shfaqen, lajmet që i dalin, komentet që i lexon, videot që i rekomandohen, të gjitha mund të krijojnë përshtypjen se “shumica mendon si unë”. Kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë. Është vetëm pasqyra që algoritmi ia ka vendosur përpara.

Dhe pasqyra, sado e pastër të duket, nuk është gjithmonë dritare.

Në një garë zgjedhore, kjo logjikë mund të ndikojë edhe në mënyrën si partitë i ndërtojnë listat e tyre. Nëse të dhënat tregojnë se një grup votuesish që pëlqejnë kandidatin A kanë prirje të pëlqejnë edhe kandidatët B dhe C, atëherë partia mund t’i promovojë këta kandidatë si paketë. Mund t’i vendosë në të njëjtat materiale fushate. Mund t’i shfaqë bashkë në reklama. Mund t’i targetojë te i njëjti segment votuesish. Me fjalë të tjera, renditja politike fillon të ndikohet jo vetëm nga hierarkia partiake apo vlera publike e kandidatit, por edhe nga probabiliteti digjital i pranueshmërisë së tij.

Kandidati nuk vlerësohet vetëm për atë që përfaqëson, por për atë se me kë “shkon” në mendjen e votuesit. Njësoj si në tregti, ku thuhet “ata që blenë këtë produkt, blenë edhe këtë tjetrin”, në politikë mund të krijohet formula e heshtur: “ata që pëlqyen këtë kandidat, mund të votojnë edhe këtë kandidat tjetër”.

Kjo e ndryshon natyrën e garës. Kandidatët nuk konkurrojnë vetëm në ide, integritet apo përvojë. Ata konkurrojnë edhe si pjesë e një modeli sjelljeje. Bëhen pika në një hartë të madhe psikologjike, ku çdo qytetar kategorizohet, parashikohet dhe pastaj i shërbehet një rrugë e mundshme politike.

Dhe pyetja që mbetet është e rëndë: a është kjo ende bindje demokratike, apo është arkitekturë e padukshme e zgjedhjes?

Nuk duhet të jemi naivë. Politika gjithmonë ka kërkuar të kuptojë votuesin. Dikur këtë e bënte përmes bisedave në terren, sondazheve, takimeve në lagje dhe strukturave partiake. Dallimi është se sot kjo njohje është bërë me rezolucion të lartë të peizazhit politik, më e shpejtë dhe më e padukshme. Nuk kemi më vetëm politikanë që pyesin qytetarët çfarë mendojnë. Kemi sisteme që përpiqen ta dinë këtë edhe para se qytetari ta artikulojë vetë.

Këtu qëndron paradoksi i epokës sonë: qytetari ndihet më i lirë se kurrë, sepse ka më shumë informacion, por mund të jetë më i udhëhequr se kurrë, sepse informacioni që sheh është përzgjedhur për të.

Prandaj, debati për përdorimin e kësaj logjike në politikë nuk është debat teknik. Është debat për lirinë. Për transparencën. Për të drejtën e qytetarit që të dijë pse po i shfaqet një kandidat, pse po i rekomandohet një mesazh, pse po i përsëritet një frikë, një shpresë apo një premtim.

Sepse vota nuk është klikim. Kandidati nuk është produkt. Qytetari nuk është klient.

Nëse politika e harron këtë dallim, atëherë zgjedhjet rrezikojnë të kthehen nga përballje idesh në laborator sjelljesh. Nga garë publike në eksperiment të heshtur. Nga akt qytetar në rezultat të parashikuar.

Dhe atëherë, drama nuk është se algoritmi do të votojë në vendin tonë. Drama është se ne do të votojmë vetë, por pasi dikush tjetër na ka ndërtuar me kujdes rrugën deri te fleta e votimit.


Go to TOP