Promovohet vepra “Poezia Shqipe” e Ibrahim Rugova në Prishtinë
Në sallën e madhe të Biblioteka “Hivzi Sulejmani” është përuruar sot libri “Poezia Shqipe – Tekste kritike letrare” i Ibrahim Rugova, i përgatitur dhe sistemuar nga Munish Hyseni.
Ngjarja mblodhi studiues, lexues dhe dashamirës të letërsisë, duke rikthyer në vëmendje kontributin e Rugovës në kritikën letrare shqiptare. Studiuesi Ndue Ukaj theksoi se Rugova ishte mbi të gjitha një krijues i madh, i cili synonte të ndërtonte vlera dhe jo vetëm të kritikonte, ndërsa vlerësoi librin si një përmbledhje të plotë të mendimit të tij për poezinë shqipe.
Nga ana tjetër, Ilir Breca u ndal te dimensioni intelektual dhe politik i Rugovës, duke theksuar se rikthimi i vazhdueshëm te vepra e tij mbetet i domosdoshëm për kuptimin e trashëgimisë së tij kulturore.
Atmosfera u pasurua me interpretimet artistike të regjisorit Naser Shatrolli, i cili solli poezi nga Ali Podrimja dhe Sabri Hamiti. Ndërkaq, kujtime për Rugovën ndau edhe profesori Muhamet Hamiti.
Ky botim vjen si një homazh në 20-vjetorin e vdekjes së Rugovës, duke rikonfirmuar rëndësinë e tij në kulturën dhe mendimin letrar shqiptar. /Kosova.info/
