Rusia dhe Bjellorusia zhvillojnë stërvitje me raketa bërthamore
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe lideri bjellorus, Aleksandër Lukashenko, kanë deklaruar se armët bërthamore mbeten garanci kyçe për sigurinë dhe sovranitetin e Rusisë dhe Bjellorusisë, gjatë stërvitjeve të përbashkëta bërthamore që po zhvillohen mes dy vendeve.
Putin deklaroi se triada bërthamore e Rusisë vazhdon të jetë garantuesja kryesore e sovranitetit të vendit dhe një faktor i rëndësishëm për ruajtjen e balancës globale të fuqisë.
Ai tha se përdorimi i armëve bërthamore mbetet një masë ekstreme, por e domosdoshme për sigurinë e Rusisë dhe Bjellorusisë në kushtet e tensioneve në rritje ndërkombëtare.
Putin theksoi se Rusia dhe Bjellorusia duhet të ruajnë kapacitetet e tyre për parandalim strategjik dhe barazi bërthamore në nivel global.
Ndërkohë, presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko deklaroi se dy vendet nuk paraqesin kërcënim për askënd, por janë të gatshme të mbrojnë “atdheun e përbashkët nga Bresti deri në Vladivostok”.
Para konferencës me Putinin, Lukashenko vizitoi një brigadë raketore në rajonin e Osipoviçit, ku inspektoi sistemin raketor taktik “Iskander-M”.
Gjatë stërvitjeve, sipas Kremlinit, do të realizohen lëshime provë të raketave balistike dhe raketave të lundrimit.
Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi pamje që pretendohet se tregojnë përgatitjet e forcave strategjike raketore, flotave veriore dhe të Paqësorit, si dhe aviacionit me rreze të gjatë veprimi për misione me raketa bërthamore.
Rusia po ashtu pretendon se ka dërguar municione bërthamore në depo ushtarake në Bjellorusi, në kuadër të këtyre stërvitjeve të përbashkëta tre-ditore.
